Englanders Cr është qender e autorizuar testimi për proviment PSI, të njohura nga Qeveria Britanike për vizat.

Sot është një ditë e bukur për mua dhe ekipin.

Pas 4 muajsh shkëmbimesh zyra fitoi të drejtën të jetë partner i autorizuar për provimet PSI, të njohura nga Home Office (Ministria e Jashtme Britanike) për shkollim dhe emigrim në UK.

PSI test, Englanders CR

Jam shumë e lumtur t’a ndaj me ju këtë lajm me mesazhin veçse pozitiv që puna shpërblehet, integriteti që demonstrohet përditë duke nisur nga klientët individe apo korporatat e deri tek partnerët është guri i themelit i një marrëdhënie afatgjatë e cila padiskutim sjell fryte.

Sa me sipër ishte lajmi. Më poshtë një reflektim i shkurtër po shumë i sinqertë për ata që kanë durim dhe interes sigurisht.

Kur nisëm kompaninë rreth 7 vite më parë, unë veçanërisht kisha një sy tek pozicionet e tjera posaçërisht tek CEO. Besoj në atë kohë më mungonte manteli mbrojtës i korporatës. Mbaj mend që në një intervistë pune, më kane pyetur: – nëse e konsideroja Crown Albania në ate kohë, Englanders CR të ribranduar sot, si kompanine time përderisa ishte OJF?

Hezitova të jap përgjigje, gjë që është jashtë karakterit tim. Atë post pune nuk e fitova dhe kjo gjë erdhi për mirë.

Rregulli i pare që mësova ishte që jo çdo e keqe vjen për keq. Nëse unë do bëhesha CEO në një kompani tjetër sot nuk do kisha Crown Albania. Po, tashmë unë jam e bindur që kjo është kompania ime.

E dyta, e lidhur me të parën dhe që m’u desh kohë t’a mësoja, sepse duhet t’a ndieja nën lëkurë (në fakt e përjetoj përditë) është që atë që bën duhet t’a duash çdo sekondë, pa hezitim, duhet t’a zgjedhësh në vazhdimësi, jo të të zgjedhe ajo ty. Nëse vendos të krijosh një kompani duhet t’a mendosh si beben tënde. Kompania është shëmbëlltyra jote, është ajo që ndryshon përditë me ty dhe nëse ti përmirësohesh nga pak përditë kompania është e sigurtë që do të të ndjekë. Askënd nuk fajesova kur gjërat shkuan keq, dhe kjo ka ndodhur hera-herës. Natyrshëm, unë po mësoja dhe po vazhdoj të mësoj përditë.

E fundit dhe për mua më e rëndesishmja është besnikëria ndaj vetes. Miket e mia, ato që më njohin mirë, hera-herës me ngacmonin duke më thënë: “ti nuk po bën mjaftueshëm atë që di të bësh më mirë, marketing. Dil, nxirre zërin dhe do kesh shumë më tepër angazhim të audiences”.

Sot jam e lumtur që i kam rezistuar tundimit. Unë gjithmonë kam menduar që fusha e shërbimeve, aq më tepër ajo e shërbimeve edukative dhe të emigracionit është delikate.

Eshtë mirë të thuash që je i/e shkëlqyer: po ku do e bazosh këtë?

Pa u ngritur një baze konsumatorësh që mbështesin vërtetësinë, teza jotë është NUL. Unë akoma refuzoj të marketoj gjerësisht kompaninë pasi mendoj që vendi është në një moment shumë delikat dhe shumë njerëz duan vetëm të ikin. Në asnjë mënyrë nuk pranoj të përfitoj nga kjo dobësi.

Klientët që kategorikisht nuk shërbehen nga kompania jonë janë ata që i dëgjojmë të na thonë “do të shkojmë ku të na dërgoni ju, duam vetëm të ikim nga Shqipëria”.

I mirëkuptojmë por nuk ju shërbejmë dot sepse është në kundërshtim me vizionin tonë të përbashkët, të pandryshuar dhe të pandryshueshëm që nga dita 1.

Unë personalisht dhe kompania që përfaqësoj nuk jemi pro emigracionit. Nuk jemi as kundër. Ne mendojmë që emigracioni është një vendim personal por rekrutuesit nuk duhet kurrsesi të jenë agresivë dhe të mbi premtojnë në mesazhet e tyre. Kjo është çështje perceptimi, ajo që nga rekrutuesuesit konsiderohet si komunikim korrekt mund të tingellojë si një thirrje për të lenë Shqipërinë, në kushtet e dëshpërimit. Këtë në refuzojme ta bëjmë. Jo për të gjithë është ok të futen në borxhe familjarisht për të edukuar një student i cili në fakt mbase nuk është i ‘prerë’ për shkollim.

Ne besojmë tek edukimi, tek mundesite e barabarta dhe përfaqësojme sot bursat me ekonomike dhe transparente në treg, ESBA.

Edhe në këto kushte, disa familje, veçse, nuk ia mban xhepi.

Shërbimet tona nuk janë falas sepse besojmë që “There is nothing such as a free lunch”. Kemi shumë për të bërë dhe përtej entuziasmit tim të sotëm ne si kompani jemi akoma në hapat e parë. Kjo thjesht sepse përtej faktit që përfaqësojmë mbi 350 institucione akademike në çdo cep të globit serish zgjidhjet që japim janë të kufizuara nga specifikat individuale në një treg të vogël dhe shpeshherë të infektuar nga spekulimet.

Sot është një ditë veçanërisht e bukur. Sidoqoftë, çdo ditë, në mënyrë ndoshta naive, unë mendoj që ka kaq shumë mundesi kjo Shqipëria jonë që na mërzit përditë.

Ndoshta besojmë tek thënia e Sartrit “S’kemi qene kurrë më të lirë sesa gjatë pushtimit Nazist/”Never were we freer than under the German occupation”.

Unë sot jam krenare për kompaninë time dhe ju falenderoj të gjithëve që jeni miqtë e mi.

Valbona Mezani

Leave a Reply

Your email address will not be published.