Ruajtja e shëndetit mendor në botën e koronavirusit

Dielli po shkëlqen dhe nuk ju lejohet të dilni nga shtëpia.

Ju keni studiuar shumë për muaj të tërë dhe tani nuk ka provime.

Prindërit tuaj janë jashtëzakonisht të zënë, por ata nuk po shkojnë në punë.

Gjatë kësaj periudhe të vështirë, një nga shqetësimet që është shfaqur në të gjithë botën është se si të qëndrojmë të shëndetshëm mendërisht kur shkollat dhe kolegjet janë të mbyllura. Për t’ju përgjigjur më mirë kësaj pyetje, kam punuar me një psikologe të diplomuar në Universitetin e Tiranës, Anila Qerosi, e cila më ka ndihmuar të kuptoj raportet e ekspertëve nga Universitetet e Oxford dhe Cambridge, në fushën e shëndetit mendor, shëndetit fizik dhe atij global, veçanërisht tek grupmosha e adoleshentëve dhe të rinjve.

Studentët në të gjithë globin u përballën papritur me një realitet shumë konfuzues. Rutinat e jetës së përditshme janë “asgjësuar” nga pandemia që po na prek të gjithë ne, dhe të përballesh psikologjikisht me këto ndryshime është po aq e vështirë sa të përballesh fizikisht me to.

Si duhet të përgjigjen të rinjtë ndaj sfidës së lockdown-it? Këshillat janë të qarta:

  • Qëndroni të informuar, por mos e teproni me lajmet

Lajmet në muajt e fundit kanë qenë potencialisht shqetësuese për të gjithë ne. Çështja kryesore është të jemi të mirëinformuar mirë, por jo të përqendrohemi më shumë seç duhet në të. Faktet e mbajnë situatën nën kontroll dhe ndihmojnë në minimizimin e frikës.

Ju mund të jeni rritur duke u mbështetur në mediat sociale për tu informuar, por ky nuk është burimi më i mirë – titujt e theksuar të lajmeve dhe keqinformimi i shpeshtë i mediave sociale mund të rrisin ankthin dhe të çojnë në përsëritje të pafund të historive alarmante. Në vend të kësaj, ne kemi nevojë për informacion të qetë, të saktë nga burime autoritare, siç është Organizata Botërore e Shëndetit, dhe në Mbretërinë e Bashkuar njerëzit e dinë që ata gjithashtu mund të mbështeten në pavarësinë e BBC-së për informacion të paanshëm. Me internetin është mjaft e thjeshtë të gjesh burime të besushme kudo që ju jetoni. Ka një incidencë më të madhe të virusit në Mbretërinë e Bashkuar sesa në Shqipëri, por gjendja shpirtërore e britanikëve vazhdon të mbetet e qetë. Shqipëria gjithashtu duket se e ka shmangur panikun.

  • Fokusohuni në diçka tjetër

Mendja jonë nuk mund të mbajë dy mendime në të njëjtën kohë. Ne nuk mund të frikësohemi për koronavirusin dhe në të njëjtën kohë të bëjmë detyrat e shtëpisë apo të mësojmë një gjuhë të re. Kështu që, sapo një mendim shqetësues t’ju vijë ndërmend, përpiquni të shpërqendroni veten – duke u marrë me diçka produktive apo argëtuese.  Në këtë mënyrë, shfrytëzoni çdo mundësi për të mësuar online, gjë që është shumë efektive jo vetëm për edukimin tuaj, por edhe për shëndetin tuaj mendor!

Për të praktikuar gjuhën angleze, provoni kursin e anglishtes në BBC

https://www.bbc.co.uk/learningenglish/english/hygiene/upperintermediate-syllabus

https://www.bbc.co.uk/learningenglish/english/hygiene/towardsadvanced-syllabus

ose www.busuu.com , ose mund të provoni aplikacionin Memrise në telefonin tuaj.

  • Planifikoni!

Edhe pse të gjithë kemi mësuar të pranojmë se jeta nuk është kurrë e sigurtë, ne funksionojmë më mirë kur ndiejmë që i kemi gjërat nën kontroll. Qeniet njerëzore janë “krijesa të zakonit” dhe ne jemi më të lumtur me rutinën dhe rendin në jetën tonë. Procesi i planifikimit na jep një ndjenjë të familjaritetit, rendit dhe kontrollit – kjo do të thotë që ne të dimë se çfarë po bëjmë tani, dhe se çfarë do të ndodhë më pas.

  • Gjumë, dietë dhe ushtrime

Provat për domethënien e këtyre tre inputeve në jetën tonë janë mbizotëruese. Kjo nuk vlen vetëm për aftësitë tona fizike, por edhe për shëndetin dhe forcën tonë mendore.

Prandaj vazhdoni të ngriheni dhe shkoni në shtrat në kohë të arsyeshme – vendosni alarmin dhe ngrihuni! Për t’u përshtatur me zona të ndryshme kohore, unë po jap mësim në orën 6 të mëngjesit çdo ditë, kështu që edhe unë shkoj në shtrat shumë më herët. Tetë orë gjumë, një dhomë gjumi e errët dhe të mos qëndroni vonë; këto janë rregullat e thjeshta! Kam ndryshuar edhe vaktet e mia të ngënies, dhe jam i kujdesshëm për të ngrënë në mënyrë të përshtatshme.

Aktiviteti fizik ndihmon në uljen e stresit në trupin tuaj, sidomos tashmë që nuk bëni lëvizjet rutinë shtëpi-shkollë, prandaj është e rëndësishme të bëni disa stërvitje. Bërja e ushtrimeve fizike duke filluar nga joga, palestra, e deri tek vallëzimi, rekomandohet çdo ditë e më shumë nga ekpertët e fushës.

  • Qëndroni në kontakt

Një studim mbi shpërthimin e SARS në vitin 2003 zbuloi se të qenit në karantinë shpesh çon në shfaqjen e simptomave të çrregullimit të stresit post-traumatik dhe depresionit, kështu që ne duhet të mbrohemi nga këto probleme të shëndetit mendor që tani. Pra, qëndroni në kontakt me njerëzit e tjerë, edhe nëse kjo është në distancë nga Skype, Zoom, Teams apo çfarëdo platforme që ju dëshironi.

Po sikur të bëheni pjesë e këtij kursi online së bashkë me miqtë tuaj?

https://www.classcentral.com/course/young-people-mental-health-9491

  • Dhe së fundmi… mos harroni se do të përfundojë!

Sado që të jeni në ankth, është e rëndësishme të kuptoni që kjo situatë nuk do të zgjasë përgjithmonë. Strukturoni dhe planifikoni të shfrytëzoni sa më shumë mundësitë tuaja pavarësisht sfidave aktuale. Mendoni se sa shumë do të argëtoheni kur gjërat të kthehen në normalitet.

Përzemërisht,

Stuart dhe Anila

Stuart Nicholson, (i diplomuar në Universitetin e Oxford, Cambridge dhe Edinburgh, ish Kryetar i Shoqatës së Shkollave të Pavarura, dhe bashkëthemelues i “Englander Scholarship”)

Anila Qerosi (e diplomuar në Universitetin e Tiranës, aktualisht administratore e shoqatës YWCA of Albania)